“Leonardo Bonuçi nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të bëhet asnjëherë një lider i vërtetë”. Ky është mesazhi i tifozëve ultras të Juventusit. Zonja e Vjetër po përjeton një nisje negative të sezonit. Vetëm 2 fitore në 7 javët e para të kampionatit, kanë trazuar ambientin bardhezi dhe një gjë e tillë ka prekur tej mase edhe tifozët.
Situata është përkeqësuar më tepër, sidomos pas humbjes së fundit, të pësuar në transfertën e Monzas me rezultatin 1-0.
Pas përfundimit të takimit, në rolin e kapitenit, Bonuçi i mori shokët e ekipit dhe së bashku shkuan pranë tifozëve për të kërkuar falje për lojën dhe rezultatin. Mirëpo një veprim i tillë, nuk është konsideruar aspak pozitiv prej ultrasve, që në një deklaratë të tyre në rrjetet sociale, shkruajnë se këto nuk janë cilësi prej një lideri të vërtetë.
“Nuk po arrijmë t’i kuptojmë dot skena të tilla, që në fakt duken me të vërtetë qesharake, sidomos kur vijnë nga dikush që e konsideron veten lider, por që në të vërtetë bën veprime për t’u shfajësuar. Veprime të tilla vetëm sa e përshkallëzojnë sa më shumë protestën, kur sezoni ka vetëm një muaj që ka nisur. Një gjë e tillë duket absurde. Kjo është absolutisht e kundërta e asaj që duhet bërë në të vërtetë, apo se çfarë kërkon ky sport”, thuhet në deklaratë.
Më tej, për situatën në të cilën ndodhet Juventusi, tifozët nuk bëjnë përgjegjës vetëm lojtarët, por njëkohësisht edhe drejtuesit e klubit.
Ndërkohë, në 2 tetor, Juventusi pret në shtëpi skuadrën e Bologna, në atë që është java e 8-të e Serisë A. Përpara publikut të tyre, ekipi i Massimiliano Allegrit do provojë të bëjë kthesën e shumëpritur.