Dani Alves i ka bërë tifozët e Barcelonës të ëndërrojnë. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, mbrojtësi shfaqet me Paulo Dybalan, me të dy lojtarët, që mbajnë në duar fanellat e njëri-tjetrit. Sigurisht që diçka e tillë ka ndezur një fije shprese në katalonjë, se së shpejti, Dybala mund të vishet me uniformën blaugrana.
Në fakt, kjo nuk është e pamundur të ndodhë, sepse tashmë është e konfirmuar se fantazisti do largohet me parametra zero nga Juventusi, duke qenë se palët nuk e gjetën gjuhën e përbashkët për të vijuar më tej bashkëpunimin.
Në merkaton e janarit, gjigantët e La Ligas, arritën të transferonin një sulmues me mjaft peshë me parametra zero, sikurse është Aubameyang. Në këto kushte, tifozët kanë të drejtë të besojnë për një mrekulli të tillë. Prezantimi i Dybalas për mbështetësit katalanas nuk është shumë i nevojshëm, sepse ata e kanë të freskët gjysmëfinalen e vitit 2017-të ndaj Juventusit, atëherë kur argjentinasi realizoi dy herë në portën e tyre.
Madje, në katalonjë arritën deri aty, sa e konsideronin Dybalan edhe si pasardhësin e Messit, për shkak të ngjashmërive që të dy futbollistët kanë në lojë.
Deri më tani, lëvizje konkrete nuk ka, por zhvillime të mëtejshme pritet të ndodhin. Ndër të tjera, pas numrit 10-të të Zonjës së Vjetër janë radhitur një sërë klubesh të rëndësishme të kontinentit sikurse janë Interi, PSG, Atletico Madrid, apo edhe Tottenham. Fundi I sezonit po afron, e kështu, shumë shpejt do mësojmë të ardhmen e Paulo Dybala.