Mauro Icardi duket se i ka kaluar problemet me klubin dhe është kthyer të jetë normalisht pjesë e grupit të Inter, por tek tifozeria e kanë të vështirë ta përtypin situatën e tij. Bëhet fjalë për ultraist e Inter, që edhe në sfidën ndaj Romës nuk kanë hezituar për asnjë sekondë të kontestonin sulmuesin argjentinas. Por në këtë gjë duket se ‘San Siro’ është i dyzuar. Ndryshe nga ultrasit, pjesa tjetër e tifozëve ka duartrokitur dhe ka mbështetur ish-kapitenin, si një mënyrë e mirë për t’i lënë pas gabimet e së shkuarës dhe për t’i dhënë 26-vjeçarit një mundësi të re. Kjo ka sjellë edhe përplasje në distancë mes tifozëve, në lidhje me qëndrimin që duhet mbajtur ndaj Icardit. Ultrasit postuan në rrjetet e tyre sociale edhe shpjegimet rreth atyre që ndodhën në shkallët e stadiumit në sfidën kundër Romës.
Ata e cilësojnë Icardin si një njeri të vogël, i cili nuk ka treguar as minimumin e korrektësisë profesionale, që çdo punonjës i një klubi duhet të tregojë. Tifozët kryesorë të zikaltërve shkojnë edhe më tej duke shtuar se në ekipe të tjera, e sidomos kampionate të tjera nuk gjen lojtarë që shtiren si të dëmtuar, që refuzojnë të luajnë dhe që grinden para humbjeve të ekipit të tyre. Që nga momenti i rikthimit të Icardit nën urdhërat e trajnerit Spalletti, ‘San Siro’ ka qenë i dyzuar rreth qëndrimit që duhet mbajtur ndaj sulmuesit. Drejtuesit e Inter shpresojnë që situata të kalojnë me kohën, pasi do të jetë pikërisht Marotta që do të marrë vendimin final për argjentinasin, por vetë, pas përfundimit të këtij sezoni.