Lajm i mirë për Kombëtaren para sfidave të Ligës së Kombeve! “Tifozët Kuq e Zi” kanë vendosur që të rikthehen në stadium për të mbështetur kuqezinjtë. Këtë vendim e kanë dhënë vetë ky grupim me anë të një postimi në faqen zyrtare në Facebook, ku bëjnë me dije se do të jenë në Elbasan në ndeshjen ndaj Izraelit, të vendosur në tribunën C2. Gjithashtu, ata lajmërojnë se edhe ndaj Skocisë, në ndeshjen e datës 10 shtator, do të jenë të pranishëm në stadiumin “Hampden Park” të Glasgout.
Ndërprerja e bojkotit nga ana e këtij grupimi mësohet se nuk ka ardhur në mënyrë të rastësishme, por bëhet e ditur se ata kanë marrë garancitë e duhura nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe Policia e Shtetit për plotësimin e kushteve të paraqitura prej tyre. Pikërisht, një prej tyre duket se është edhe largimi i forcave të rendit nga tribuna, ku ata qëndrojnë. Kështu, grupimi i famshëm i tifozëve të Kombëtares ka lëshuar një njoftim në lidhje me shitjen e biletave dhe organizimin e sfidës së parë zyrtare që na pret në shtator, kundër Izraelit.