Thomas Tuchel ëndërron rikthimin në Premier League. Sikurse tashmë është njoftuar edhe zyrtarisht, gjermani do të qëndrojë në krye të Bayernit deri në fund të sezonit, e më pas do të largohet, me palët që janë dakordësuar mes tyre për një vendim të tillë.
Megjithatë, mediat e huaja kanë raportuar menjëherë se tekniku gjerman është duke menduar një rikthim në Angli, teksa synimi I tij është të marrë drejtimin e një skuadre të madhe. Më konkretisht, bëhet fjalë për Manchester United. Djajtë e kuq, prej kohësh 20 muajsh drejtohen nga Erik Ten Hag, me ecurinë e teknikut hollandez që është shoqëruar nga shumë ulje-ngritje, duke vënë jo pak herë në pikëpyetje edhe të ardhmen e tij.
Deri më tani duhet theksuar se Ten Hag ka mbështetjen e plotë të krerëve të klubit, por nëse United deri në fund të sezonit, nuk arrin të sigurojë një vend në Champions League për edicionin e ardhshëm, atëherë nuk përjashtohet mundësia që ai të pushohet nga detyra. E mesa duket, një moment të tillë, me tëpër sesa të gjithë është duke e pritur Thomas Tuchel, I cili pas epokës së tij prej diçka më pak se një viti, kërkon të rikthehet sërish në elitën e futbollit anglez, për të çuar deri në fund misionin e tij, që është triumfi në Premier League, diçka që nuk e arriti dot me skuadrën e Chelsea, ndonëse me ekipin londinez fitoi titullin e Champions League dhe këtë e bëri në vetëm pak muaj në krye të skuadrës.
Sikurse bëhet me dije, Manchester United është një dëshirë e vjetër e Thomas Tuchel dhe 48 vjeçari është duke e pritur me padurim një mundësi të tillë.