“Sa herë që kam luajtur kundër Lionel Messit gjërat kanë shkuar mirë, ndërsa Cristiano Ronaldo ishte problemi ynë, kur ai luante për Real Madrid.” Këto janë fjalët e Thomas Muller pas suksesit të Bayernit në raundin e 1/8-tave të Champions League ndaj PSG.
Bavarezët siguruan një biletë në çerekfinale, duke eliminuar edhe një herë tjetër nga gara në një fazë shumë të hershme, skuadrën e PSG, aty ku Messi është pjesë në dy edicionet e fundit.
Në harkun kohor të 180 minutave, Parisi nuk shënoi dot asnjë gol ndaj Bayernit, ndërsa argjentinasi nuk mundi të shfaqte dot potencialin e tij, si në aktin e parë, ashtu edhe në të dytin.
Pas përfundimit të sfidës në “Allianz Arena”, Thomas Muller u shpreh se në krahasim ndaj Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos përgjatë karrierës së tij, rezultatet anojnë pozitivisht në përballjet ndaj 7 herë fituesit e të “Topit të Artë”.
“Ndaj Messit gjithçka ka shkuar mirë sa i përket rezultatit në të gjitha nivelet që jemi përballur. Ndërsa në nivel klubesh, Cristiano Ronaldo ishte problemi ynë, gjatë kohës kur ai luante me Real Madrid. Megjithatë, performance individuale e Messit në Kupën e Botës ishte e jashtëzakonshme dhe për këtë kam shumë respekt, sepse nuk është aspak një gjë e thjeshtë”, ka deklaruar Muller.
Në ndeshjet direkte në nivel klubesh ndaj Messit, Muller regjistron 6 fitore, 3 barazime dhe vetëm 2 humbje.