Thiago Silva është pranë rinovimit të kontratës me Chelsea. Që prej verës së 2020-tës kur mbrojtësi brazilian mbërriti në “Stamford Bridge” ka qenë një prej lojtarëve me performancat më pozitive. Ndonëse 38 vjeç, përkushtimi dhe profesionalizimi i treguar nga lojtari gjatë kësaj kohe i ka bindur drejtuesit e Bluve të Londrës që të rivlerësojnë edhe një herë tjetër marrëveshjen e qendërmbrojtësit, i cili gjithashtu ka qenë një titullar i rregullt edhe nën urdhërat e Graham Potter.
Sikurse raportojnë mediat ndërkombëtare, ekziston edhe një factor tjetër jashtë fushës së blertë, që e ka shtyrë mbrojtësin Thiago Silva të pranojë rinovimin me Chelsean. Është pikërisht familja e futbollistit, që ndihet e lumtur me jetesën në Londër dhe për këtë arsye, ish-lojtari i Milanit do vijojë të luajë në “Stamford Bridge”.
Thiago Silva ka luajtur 105 ndeshje në të gjitha garat me Chelsean dhe gjatë kësaj kohe ka arritur të fitojë disa trofe të rëndësishëm dhe mes tyre vlen të theksojmë triumfin në Champions League dy sezone më parë.
Për momentin, Chelsea po kalon një moment të vështirë me trajneri Potter, por Thiago Silva do vazhdojë të jetë pjesë e formacionit të Bluve, teksa në të ardhen e afërt, pritet edhe zyrtarizimi i rinovimit të kontratës së tij.