Thiago Motta mendon të drejtojë PSG-n në të ardhmen

Sport

thiago motta
Thiago Motta duket se i ka idetë e qarta për të ardhmen e tij. Braziliani 35-vjeçar po luan sezonin e tij të fundit të karrierës si futbollist, teksa ka lajmëruar tërheqjen përfundimtare verën e ardhshme. Megjithatë Motta do të vazhdojë të jetë pjesë e futbollit, ku menjëherë pas tërheqjes do të drejtojë skuadrën e 19-vjeçarëve të PSG, klub me të cilin braziliani është nën kontratë që nga janari i 2012-s.  35-vjeçari nuk fsheh ambiciet e tij dhe gjatë një interviste për “L’Equipe”, ai ka pranuar se objektivi i tij madhor sa i përket të ardhmes, mbetet drejtimi i PSG.

motta

Motta e pranon se e tërheq ideja e të qënit trajner i kampionëve te Francës dhe pohon se diçka të tillë e ka komunikuar edhe me drejtuesit aktualë të parizienëve. Sa i përket largimit të tij nga futbolli i luajtur, Thiago Motta shpreson të luajë finalen e “Kupës së Francës” ndaj skuadrës së Les Herbiers dhe shprehet se nuk i pëlqen shumë që klubi të mbajë një ceremoni të veçantë për të. Braziliani tregon se në këtë aspekt i pëlqejnë gjërat e thjeshta, për më tepër, ai do të vazhdojë të jetë pjesë e PSG edhe pas tërheqjes, ndaj siç thotë vetë 35-vjeçari, ai praktikisht nuk do të largohet nga ambjentet e stadiumit “Parc des Princes”.