Theo Hernandez nuk do të largohet nga Milani, klubi po punon në merkato

Sport

Theo Hernandez nuk do të largohet nga Milani. Për mbrojtësin e majtë francez, është folur gjatë këtë merkato vere, teksa ai konsiderohej si një prej emrave, që do të shitej nga klubi kuqezi. Në mediat e huaja, u komentuar gjithashtu, se do të ishte Bayern Munich klubi i ardhshëm i mëngjarashit. Mirëpo, pavarësisht të gjithave, asgjë nga këto nuk do të ndodhë. Theo do të rinovojë me Milanin, pasi ai konsiderohet si një prej shtyllave të organikës së 19 herë kampionëve të Italisë. Thënë këtë, drejtuesit e shoqërisë italiane po punojnë mbi marrëveshjen e re, në brendësi të së cilës, parashikohet të ketë edhe një përmirësim të termave financiarë, duke e kthyer Theon, ndër futbollistët më të paguar të kampionatit italian. Kontrata aktuale ish-lojtarit të Real Madrid, përfundon në verën e 2026-tës. Sakaq, përveç përkujdesjes për të ardhmen e Theos, Milani po punon edhe për lojtarët që dëshiron të sjellë në përbërje të organikës. Adrien Rabiot është emri që komentohet gjerësisht në ambientin kuqezi këtë merkato. Francezit i ka përfunduar kontrata me Juventusin, çka do të thotë se shërbimet e 29 vjeçarit, mund të përfitohen me parametra zero. Megjithatë, fjala e fundit i takon vetë futbollistit, i cili më herët ishte shprehur se të ardhmen e tij do ta bënte publike pas përfundimit të Europianit, kështu që në të ardhmen e shkurtër, do të ketë informacione të reja mbi këtë çështje.