Largimi i Zinedine Zidane nga drejtimi i Real Madrid ishte aq i papritur sa ende rreth kësaj çështje aludohet se cilat mund të kenë qenë arsyet e vërteta që çuan francezin të merrte atë vendim. Tabloidi britanik “The Sun” ka zbuluar së fundmi se burime të afërta me Zidane, kanë treguar se një ditë përpara se ai të vendoste të largohej, kishte biseduar gjatë me presidentin Perez në lidhje me merkaton. Pikërisht kjo thuhet të jetë arsyeja që ka sjellë edhe përplasje mes palëve. Zidane aludohet të kenë kërkuar nga Perez garancinë e transferimit në Madrid të Eden Hazard. Lojtari i Chelseat prej kohësh është përfolur për një kalim të tillë dhe ka patur gjithmonë vlerësimin e trajnerit francez.
Por presidenti i “los blancos” thuhet ta ketë refuzuar këtë kërkesë, ndërkohë që ka këmbëngulur se objektivi kryesor i merkatos do të jetë David De Gea i Manchester United. Simpatia e madhe që presidenti Perez ka për portierin spanjoll dihet prej kohësh, por Zidane i ka shprehur besim të plotë tëk Keylor Navas dhe shpenzimet për De Gean sipas tij do të ishin të tepruara. Kjo mosmarrëveshje mendohet të ketë qenë pikënisja e debatit dhe Zidane citohet t’i ketë thënë Perez se: “Unë e mbylla këtu. Tani mund të merresh ti me skuadrën.” Largimi i Zidane nuk është pritur mirë nga shumë lojtarë të Real Madrid apo objektiva të merkatos së kampionëve të Evropës, çfarë mund t’i hapë probleme trajnerit të ardhshëm të tyre.