Testohen dritat e “Arena Kombëtare”, FSHF shfrenon fantazinë

Sport

Stadiuimit “Arena Kombëtare” në kryeqytet po i jepet dora e fundit, me synimin për ta përuruar më 17 nëntor, datë e caktuar nga FSHF për të luajtur ndeshjen eleminatore të kuqezinjve kundër Francës. Në impiantin e ri, ku do të luajë kryesisht Kombëtarja shqiptare, janë duke u plotësuar dhe detajet përfundimtare. Federata Shqiptare e Futbollit ka shpërndarë një video, gjatë testimit të ndriçimin e stadiumit dhe Sekretari i Përgjithshëm I FSHF-së, Ilir Shulku ka rrëfyer më shumë për stadiumin.
SINKRON “Stadiumi i ri Kombëtar në Tiranë, është investimi më i madh i FSHF, që na bën të ndihemi krenar dhe për nivelin që kemi arritur këtu. Tani, kemi arritur në fazën finale të punimeve, për të arritur në ndeshjen inauguruese ndaj Francës në datën 17 nëntor. Vendosja e stolave ka përfunduar. Tapeti i fushës është instaluar javën që shkoi. Po punohet me intensitet maksimal në tribunën qëndrore, dhe gjëja më e rëndësishme është sistemi i ndriçimit që po testojmë. Nga parametrat, është nga më të mirat europiane, si ato të Liverpulit, Mançesterit, Shalkes e Juventusit etj. E veçanta e këtij sistemi, është se përveç ndeshjeve të futbollit, mund të përdoret edhe koncerte, evente dhe spektakle”.


Në një mbledhje të Komitetit Ekzekutiv të zhvilluar pak ditë më parë, u miratua që data e përurimit të Stadiumit të ri Kombëtar do të jetë 17 nëntori që përkon me ditën e Clirimit të Tiranës. Por mbi të gjitha, atëherë është në program sfida kundër kampionëve të botës, Francës. E nuk do të kishte ndeshje më të bukur për të inauguruar stadiumin e ri prej 21750 vendesh.