Ndonëse nuk po merr minuta në fushën e lojës, Cristiano Ronaldo po ia del të jetë në qëndër të vëmendjes. Mbëmjen e të së mërkurës, portugezit iu desh ta ndiqte nga stoli përballjen ndaj Tottenham, mirëpo nuk ka pritur dot deri në vërshëllimën e fundit të arbitrit.
5 herë fituesi i Topit të Artë është larguar ende pa u mbyllur takimi dhe një gjë e tillë nuk ka kaluar pa vënë re. Madje veprimi i CR7 ka shkaktuar komente të shumta në radhët e analistëve sportivë, apo edhe të tifozëve, të cilët, përgjithësisht e kanë konsideruar të gabuar këtë lëvizje. E kanë konsideruar si mungesë profesionalizmi.
Kësaj situate nuk i ka shpëtuar dot as trajneri Erik ten Hag. I pyetur në fund të fitores 2-0 ndaj Tottenham, hollandezi ka dhënë versionin e tij të përgjigjes:
“E pashë Ronaldon të largohej, por nuk fola me të në atë çast. Do komunikoj me të në një moment të dytë, sepse për momentin do festojmë fitoren e arritur ndaj Tottenham. Performanca e skuadrës ishte e një niveli të shkëlqyer nga të gjithë, edhe nga ata që u aktivizuan nga stoli”, ka thënë ndër të tjera 52 vjeçari.
Kjo është hera e dytë këtë sezon që Cristiano Ronaldo largohet nga stadiumi ende pa u mbyllur ndeshja. Herën e parë ndodhi në miqësoren ndaj Rayo Vallecano në “Old Trafford”, në muajin gusht, ndeshje e vlefshme për fazën përgatitore. Në atë sfidë, CR7 nuk e priti aspak mirë zëvendësimin dhe kësisoj zgjodhi të dilte nga stadiumi kur ndeshja ishte ende duke u luajtur.
Me fjalë të tjera, marrëdhënia mes lojtarit dhe trajnerit duket qartë që është e tensionuar. Në këto kushte, mundësia që Ronaldo të largohet nga United është e madhe dhe kjo mund të ndodhë që në merkaton e janarit.