Tenis, ‘Wimbledon’, Nadal dhe Djokoviç kalojnë më tej pa probleme

Sport

nadal
Rafael Nadal nuk e kishte aspak të vështirë të kalonte në raundin e tretë të “Wimbledon”, teksa mposhtu pa humbur as një set tenistin Mikhail Kukushkin. Numri 1 i botës, i cili vjen nga triumfi i tij i 11 në “Roland Garros”, tregoi një formë mjaft të mirë e duket se pushimi i marrë prej tij pas turneut të fushave me dhe i ka bërë mirë. Në raundin e tretë, Nadal do të përballet me 19-vjeçarin Alex De Minaur. Australiani mposhti në raundin e dytë, francezin Pierre-Hugues Herbert, dhe shorti i rezervoi një takim më numrin 1 të botës në raundin pasardhës.

djokovic
Fitore të madhe arriti ndërkohë Novak Djokoviç, që me triumfin ndaj argjentinasit Horacio Zeballos, shënoi fitoren numër 60 në karrierë e tij sa i përket kompeticionit të “Wimbledon”. Edhe Djokoviç e mbylli takimin brenda 3 seteve dhe sigruoi kalimin për në raundin tjetër, ku e pret një përballje e vështirë me britanikun Kyle Edmund, i cili me mungesën e Andy Murray, ka marrë gjithë mbështetjen e publikut vendas si përfaqësuesi kryesor i Britanisë së Madhe në “Wimbledon 2018”. Kanë siguruar kualifikimin më tej edhe Juan Martin del Potro, që mposhti 3-0 spanjollin Lopez ndërsa tenisti japonez Nishikori fitoi 3-1 me sete ndaj tenistit australian Tomic.