Tenistët rusë e bjellorusë nuk do të jenë pjesë e turneut të ‘Wimbledon’ për vitin 2022. Është ky vendimi final që kanë marrë organizatorët e eventit më të rëndësishëm të tenisit në Britaninë e Madhe, duke qëndruar në një linjë edhe me shumë evente të tjera, që kanë përjashtuar sportistët rusë apo ata bjellorusë. Kështu, një nga turnetë më të ndjekur anembanë botës sa i përket tenisit, humbet disa sportistë me emër për vitin 2022. Tek meshkujt, mjafton të përmendim faktin se numri 2 i botës, aktualisht është rusi Daniil Medvedev. Veç tij, nga ‘Wimbledon’ përjashtohen edhe emra si Andrey Rublev, Karen Khachanov, Aslan Karatsev apo Ilya Ivashka, të cilët renditen mes 50 më të mirëve në planet.
Sa i përket tenisit të femrave, nga ky vendim i organizatorëve të ‘Wimbledon’ e pësojnë emra si bjellorusja Aryna Sabalenka, që aktualisht mban vendin e katërt në renditjen botërore. Bashkë me të, penalizohen edhe Anastasia Pavlyuchenkova, Victoria Azarenka, Daria Kasatkina, Ekaterina Alexandrova apo Aliaksandra Sasnovich, të gjitha mes 50 më të mirave. Në shenjë proteste ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë, shumë organizatorë të turneve të tenisit kanë marrë vendimin për të përjashtuar sportistët rusë e bjellorusë.
Vendimi i organizatorëve të ‘Wimbledon’ nuk është mirëpritur nga ana e shumë tifozëve, që kërkojnë të shohin nivelin më të lartë në eventin e këtij viti. Nga ana tjetër, ka reaguar shumë shpejt edhe Moska, duke e cilësuar si të papranueshëm vendimin e përjashtimit të tenistëve rusë. Ata kanë kërkuar që vendimi të rishikohet dhe që sporti të mos ngatërrohet me çështjet politike. Gjithsesi, gjasat që ky vendim të kthehet janë thuajse zero, prandaj tenistë si Medvedev, Rublev apo Sabalenka, do të humbasin një shans të mirë për të vijuar sezonin në mënyrë e duhur.