Rafael Nadal vazhdon pa shumë probleme rrugëtimin e tij në ‘US Open’, teksa mposhti në raundin e 1/8-ave me rezultatin 3-1, tenistin gjeorgjian Nikoloz Basilashvilin. Numri 1 i botës fitoi fillimisht dy setet e para të takimit me rezultatin identik 6-3 me ‘game’. Kundërshtari i tij arriti të reagoi vetëm në setin e tretë, të cilën e fitoi me ‘tie-break’ 7-6. Ndërsa në setin e fundit nuk kishte shumë histori. Nadal i mjaftoi fitimi i 1 ‘game’ me ‘break’ për të mbyllur ndeshjen e për të kaluar në çerekfinalet e turneut amerikan. Në këtë raund, spanjolli do të ketë një ndeshje mjaft të vështirë ndaj austriak Dominic Thiem, që mundi në 1/8-at Kevin Anderson 3-0 me sete. Vazhdon rrugëtimin e tij edhe John Isner. Duke patur edhe mbështetjen e publikut, amerikani mundi 3-2 kanadezin Milos Raoniç, në një sfidë që zgjati plot 3 orë e 10 minuta.
Ndërsa tek femrat, Serena Williams mundi lehtësisht estonezen Kaia Kanepi, që më herët në këtë turne eleminoi numrin 1 të botës, Simona Halep. Serena fitoi setin e parë brenda 19 minutash me rezultatin 6-0. Kanepi u përpoq të kundërpërgjigjej me fitoren në setin e dytë 6-4, por Williams tregoi se çdo gjë ishte nën kontrollin e saj dhe fitoi setin final të takimit 6-3. Në raundin tjetër, gjërat do ndërlikohen për Serenan, që do të përballet me çeken Karolina Pliskova. Fitore edhe për Sloane Stephens, që mundi 2-0 tenisten belge Elise Mertens.