“US Open” pritet të dhurojë emocione të shumta këtë vit, për shkak se pjesë e kompeticionit amerikan janë thuajse të gjithë tenistë kryesore. Për më tepër, secili vjen me pretendimin për t’i shkuar deri në fund këtij turneu. Por shorti nuk ka qenë dhe aq i favorshëm për Grigor Dimitrov. Bullgari, i cili është numri 8 i botës, do të përballet që në raundin e parë me Stan Wawrinka. Ky i fundit aktualisht renditet në vendin e 101, pasi qëndroi larg fushave për një kohë të gjatë, për shkak të një dëmtimi të marrë në gju në vitin 2017. Mirëpo këtë verë, zviceriani ka provuar se është rikthyer në formë të shkëlqyer, dhe në kompeticionet e tjerat të mëdha përtej Atlantikut, si “Rogers Cup” apo turneu i Cincinnati.
Ai u eleminua vetëm nga dy emrat më të mëdhenj renditjes, Rafael Nadal dhe Roger Federer. Sa i përket këtij të fundit, në “US Open”, përballja më e fortë për 37-vjeçarin mund të jetë ajo e çerekfinales, ku me gjasa do të sfidojë Novak Djokoviç. Serbi vjen si fituesi i turneut të Cincinnatit, ku mundi në finale pikërisht Roger Federer. Nadal, i cili është edhe kampioni në fuqi i turneut, do të ketë përballë në raundin e parë një njohje të vjetër, si David Ferrer, dhe nëse gjërat për numrin 1 të botës shkojnë si duhet, mundësitë janë që në çerekfinale të ndeshet me Kevin Anderson.