Tenis, Sinner me substanca të ndaluara; trajneri shpjegon situatën

Sport

Jannik Sinner rrezikoi jo pak të humbiste pjesëmarrjen në ‘US Open’ për këtë vit, teksa pak para nisjes së tij drejt Shteteve të Bashkuara, rezultoi të kishte në lëkurën e tij një substancë të ndaluar nga ana komisionit etik, të quajtur ‘clostebol’. Nga ajo që u zbulua, bëhet fjalë për rezultatet e testeve të bëra ndaj Sinner në kohën kur merrte pjesë në ‘Indian Wells’ dhe substanca ishte përdorur nga një prej fizioterapistëve të tij, që siç është raportuar, e ka përdorur në mënyrë të pavetdijshme gjatë kohës që ushtronte masazh tek tenisti italian. Agjensia Ndërkombëtare e Integritetit të Tenisit është kujdesur për ta ndjekur hap pas hapi këtë çështje, që për momentin duket si diçka fatkeqe për Sinner. Këtë ka konfimuar edhe një prej trajnerëve të 23-vjeçarit, Darren Cahill. Sipas tij, në këtë situatë nuk ka asgjë të qëllimshme nga ana e Sinner apo e stafit të tij dhe se substanca në fjalë, ka qenë përbërës në një nga ilaçet e përdorura nga ana e një prej fizioterapistëve, i cili nuk ka qenë në dijeni të këtij fakti. Trajneri i Sinner këmbëngul se tenisti italian ka qenë gjithmonë strikt sa i përket përmbajtjes së rregullorës dhe ndihet i lënduar vetëm nga fakti që emri i tij të përfshihet në një lajm të tillë. Megjithatë, duket se Sinner ka marrë mbështetjen e nevojshme jo vetëm në Itali, por edhe përtej vendlindjes. Veç agjensive të antidopingut, edhe ‘Shoqata e Tenistëve Profesionestë’ (ATP) ka deklaruar se në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një neglizhencë apo një faj të sportistit dhe se tashmë substanca e ndaluar është pastruar nga trupi i tij. Kjo do t’i japë mundësinë Sinner që të jetë në ‘US Open’, edhe pse përfshirja në një ngjarje të tillë nuk ka lënë aspak shije të mirë kundrejt 23-vjeçarit. Për më tepër, kjo situatë nuk ka kaluar pa pasoja, pasi Sinner tashmë ka humbur plot 400 pikë në renditjen e përgjithshme, si edhe 325 mijë dollarët e fituar në ‘Indian Wells’.