Një “super-heroinë”, një “princeshë luftëtare”. Ishin këto disa nga elozhet që iu bënë Serena Williams-it pas fitores së saj ndaj çekes Karolina Pliskova në “Roland Garros”.
Edhe pse shihej qartë se ish-numri 1 i botës për femra nuk ishte në formë të mirë, ajo ja doli të dhuronte emocione tek tifozët e pranishëm në “French Open”, ku mundi në raundin e parë 2-0 numrin 70 në renditjen botërore. Një fitore që pavarësisht rezultatit, nuk u arrit me shumë lehtësi nga tenistja 36-vjeçare.
23 herë fituesja e titujve “Grand Slam” është shfaqur e emocionuar pas fitores, pasi më parë shumë personazhe të tenisit flisnin me pesimizëm se Serena do t’ia dalë të kthehet në nivele të larta pas një mungese mjaft të gjatë, që gjithësesi ka lënë gjurmë në fizikun e saj. Williams nuk e mohon faktin se ka si objektiv t’i shkojë deri në fund turneut të “Roland Garros”, të cilin e ka fituar 3 herë në karrierën e saj. Për herë të fundit, kjo ndodhi në vitin 2015. Për të vazhduar rrugëtimin e saj, Serenën e pret një tjetër ndeshje mjaft e vështirë, pasi në raundin tjetër do të përballet me australianen Ashleigh Barty, e 17 në renditjen botërore të tenisit për femra.