Serena Williams duket të jetë ende shumë larg formës më të mirë të saj. Tenistja amerikane është eleminuar që në raundin e parë të turneut të Miamit, pasi u mund nga japonezja Naomi Osaka 2-0 me sete (6-3, 6-2).
Ish-numri 1 i botës u dominua totalisht nga kundërshtarja e saj, e cila vinte në fakt si fituesja e “Indian Wells” fundjavën e kaluar. Williams dukej se i mungonte ende forca fizike ndërkohë që nuk ishte aq e saktë sa 20-vjeçarja Osaka, që ia doli t’u kundërpërgjigjej mirë shërbimeve të forta të Serenas.
Pas ndeshjes, Williams shmangu intervistat dhe u largua menjëherë nga arena. Ndërsa vetëm pak më vonë, ajo do të nxirrte një komunikatë ku do të përgëzonte kundërshtaren e saj për lojën e shkëlqyer dhe do të falenderonte fansat e saj për mbështetjen, teksa ajo vazhdon të përmirësohet ndeshje pas ndeshje.
Serena Williams tashmë renditet në vendin e 491 në botë në tenisin e femrave. Mungesa prej 14 muajsh duket se i ka hapur më shumë probleme sa mendohej, teksa pas “Indian Wells”, 36-vjeçarja zhgënjen edhe në turneun e Miami, të cilën e ka fituar plot 8 herë në karrierën e saj.