Pritej të ishte një nga ndeshjet më të bukura të turneut të “French Open” këtë vit, por mesa duket nuk ka qenë e thënë të realizohet. Pak përpara përballjes me Maria Sharapovën, Serena Williams në një konferencë për shtyp ka deklaruar tërheqjen e saj nga kompeticioni për arsye dëmtitmi. Tenistja amerikane u shpreh për mediat se kjo tërheqje e saj vjen prej një lendimi që ajo ka në muskujt e kraharorit. Që në startin e “Roland Garros”, 23 herë fituesja e “Grand Slam”-eve u përfol se ende kishte shqetësime dhe në turneun francez kërkonte të shihte se deri ku kishte arritur me stërvitjen e saj.
Williams dhe Sharapova nuk janë ndeshur me njëra-tjetrën që nga fillimi i 2016-s, në turneun e “Australian Open”. Tenistja ruse u pezullua për 15 muaj për shkak të shkeljes së rregullave të anti-dopingut dhe u kthye të luajë vetëm prillin e kaluar. Nga ana tjetër Williams u shkëput nga tenisi për të sjellë në jetë vajzën e saj Olimpia.
Mes tyre, tenistet numërojnë 21 përballje me njëra-tjetrën, me shifrat që flasin qartë në favor të Williams, që ka 19 fitore kundrejt 2 të Sharapovës.