Rafael Nadal vazhdon pa probleme rrugëtimin e tij në ‘US Open’, teksa kaloi në raundin e dytë tenistin kanadez Vasek Pospisil 3-0 me sete. Vetëm 2 orë i janë dashur Nadal për të arritur fitoren, me rezultatet 6-3, 6-4 dhe 6-2. Në 1/16-at e turneut amerikan gjërat ndërlikohen disi për numrin 1 të botës, që do të përballet me rusin Khachanov, që në rastet e mërparshme nuk ka rezultuar një kundërshtar i lehtë për Nadal. Ndeshje spektakolare ka dhuruar John Isner, që mposhti me përmbysje 3-2 Nicholas Jarry. Ky i fundit e nisi mirë takimin, duke fituar setin e parë me ‘tie-break’, 7-6. Isner do të barazonte shifrat në setin e dytë, të cilin e mori 6-4 me ‘game’.
Jarry do të ishte pranë fitores, teksa rimori avantazhin në setin e tretë të takimit 6-3, por i mbështetur edhe nga publiku vendas, John Isner përmbysi gjithçka në dy setet e fundit 7-6 dhe 6-4. Tek femrat, Serena Williams vijon me formën e mirë të saj, pasi mposhti në raundin e dytë të ‘US Open’ gjermanen Witthoeft, 2-0 me sete. Tenistja amerikane nuk e pati të vështirë të fitonte këtë takim, që e mbylli brenda 1 ore e 8 minuta lojë. Kalon më tej edhe kampionia në fuqi e këtij turneu, Sloane Stephens, që mundi 2-1 me sete tenisten ukrainase Anhelina Kalinia. Surpriza e këtij raundi ka qenë padyshim eleminimi i Muguruzas, që u mund 2-1 nga çekja Muchova.