Rafael Nadal do të kthehet në fushat e tenisit më shpejt se ç’ishte parashikuar. Spanjolli duket se e ka lënë pas dëmtimin e pësuar gjatë “Australian Open” në janar, dhe ka filluar stërvitjen për të rigjetur formën optimale. Kjo gjë është konfirmuar edhe nga prezenca e tij në listën e skuadrës së Spanjës për në “Davis Cup”. Kështu Nadal do të rikthehet të luajë rreth datave 6 dhe 8 prill, ku në kompeticionin në fjalë, ai mungon që prej vitit 2016.
Kapiteni i skuadrës spanjolle Sergi Bruguera është shprehur se ka biseduar vazhdimisht me Nadal dhe 31-vjeçari ndihet çdo ditë e më mirë dhe se stërvitet që të jetë gati për të dhënë më të mirën e tij. Veç Nadal, në listën e Spanjës në “Davis Cup” janë edhe Roberto Bautista Agut, Feliciano Lopez, Pablo Carreno Busta dhe David Ferrer. Ndërkohë kapiteni Bruguera nuk ka saktësuar se cili do të jetë roli i Nadal në ndeshjen kundër Gjermanisë, që në rast fitoreje do t’u sigurojë gjysmëfinalen përballë Italisë ose Francës, që është kampione në fuqi e këtij kompeticioni.