Tenis, Nadal dhe Halep triumfojnë në ‘Rogers Cup’

Sport

nadal
Rafael Nadal ka shënuar titullin e 5 këtë, teksa ka triumfuar në turneun kanadez të “Rogers Cup”. Numri 1 i botës për meshkuj ka mposhtur në finale 2-0 me sete, surprizën e këtij edicioni të turneut master të zhvilluar në Toronto, grekun Stafanos Tsitsipas. 19-vjeçari, i cili më parë pati eleminuar emra si Djokoviç, Zverev apo Anderson, nuk ia doli dot të realizonte një tjetër mrekulli. Nadal në fakt ishte i pamëshirshëm që në setin e parë, të cilin e fitoi lehtësisht 6-2, ndërkohë që Tsitsipas po vuante presionin dhe emocionet. Në setin e dytë, kur Nadal kishte avantazhin 5-3 dhe po shkonte drejt mbylljes së takimit, spanjolli lëshoi lojën dhe i dha 19-vjeçarit grek mundësinë që të guxonte.

halep

Sfida do të shkonte me “tie-break”, dhe aty, Nadal nuk fali më. Triumfi në “Rogers Cup” për Nadal përkthehet në titullin e 33 master në karrierë, më shumë se kushdo tjetër, ndërsa ka arritur edhe në kuotën e 80 titujve personal. Shifra të jashtëzakonshme për 32-vjeçarin nga Mallorca, që me këtë fitore, forcon pozitat e tij në krye të renditjes së “ATP”-ës. Edhe tek femrat, ka qenë numri 1 i renditjes botërore, Simona Halep ajo që ka dalë me trofeun në kompeticionin kanadez. Tenitja rumune mposhti 2-1 me sete amerikanen Sloane Stephens. Ishte Halep ajo që e nisi mirë sfidën e luajtur në Montreal, teksa fitoi me “tie-break” 7-6 setin e parë. Stephens u përgjigj në të dytin 6-3, ndërsa Halep hipotekoi fitoren në setin e fundit, të fituar 6-4.