Rafael Nadal vazhdoi më tej në raundin e tretë të Australian Open duke mundur argjentinasin Leonardo Mayer 3-0 me sete. Spanjolli në raundin e parë kishte mundur gjithashtu 3-0 domenikanin Victor Estella. Përballë Mayerit, i renditur i 52-ti në ranglistën e ATP-ës, Nadal kreu punë për 2 orë e 39 minuta lojë. Fillimisht seti i parë kaloi lehtë pasi u mbyll 6-3, por dy të tjerët ishin më të vështirë. 6-4 u mbyll i dyti dhe i treti 7-6 me “tie-breake” pas 70 minutash lojë. Australian-Open është turneu që i mungon serisë së sukseseve që ka patur në karrierë spanjolli Nadal. Numri 1 i botës së tenisit e ka fituar vetëm 1 herë këtë turne, në vitin 2009-të dhe synon triumfin këtë fillim-sezoni, cka do të ishte titulli i 17-të Grand-Slam për të. Në tenisin për femra nuk pati surpriza, danezja Caroline Wozniacki fitoi me përmbysje 2-1 kundër kroates Jana Fett. E dyta e botës së tenisit pasi e humbi setin e parë 6-3, fitoi dy setet e tjera 6-2, 7-5 dhe vetëm seti i tretë zgjati 1 orë e 17 minuta. 27-vjecarja në raundin tjetër përballet me Kiki Bertensin. Me përmbysje 2-1 fitoi edhe ukrainasja Elina Svitolina. E katërta e botës e pati disi të vështirë fillimin me çeken Katerina Siniakova, por pasi humbi 6-4 të parin, dy setet e tjera i fitoi bindshëm 6-2; 6-1. Në raundin tjetër Svitolina përballet me patrioten e saj 15-vjecare Marta Kostyuk. Gjithashtu nuk mund të mungonte në raundin e katërt Jelena Ostapenko. E 7-ta e renditjes botërore mposhti po 2-1 me sete kinezen Ying-Duan. Letonezja 20-vjecare kërkon ta nisë sezonin aty ku e la, me trofe dhe përpara rivalet e vetme duket se janë Svitolina dhe Wozniacki, pasi Halep dhe Muguruza kanë shfaqur problem me lëndime.