Tenis, Kyrgios eliminon Djokovicin, Nadal bën përpara ndaj Nishikorit

Sport

nadalweb

Novak Djokovic nuk mundi të vazhdojë më tej në turneun meksikan të Acapulcos duke u eliminuar në çerek-finale nga Nick Kyrgios. Djokovic shënoi kështu një tjetër dështim për këtë sezon, duke luhatur ndjeshëm arritjen e synimit për t’iu rikthyer vendit të parë në ATP. Në Acapulco, mes serbit dhe australianit u pa një ndeshje spektakolare, ku që në setin e parë rivaliteti ishte i jashtëzakonshëm. Kyrgios përballej për herë të parë me 29-vjecarin ish-numër 1 në tenisin botëror. Edhe pse vetëm 21-vjeç, ai shfaqi gjithë talentin e tij duke fituar 7-6; 7-5 në 1 orë e 48 minuta lojë. Në setin e parë shtatlarti australian triumfoi me “tie-brake” 11-9 ndërsa në të dytin Djokovic u dorëzua shumë shpejt. Kyrgios i shton kështu një tjetër emër të madh në CV-në e fitoreve të tija, ku gjenden suksese edhe ndaj Federer, Nadal dhe Wawrinka. Në gjysmë-finale Kyrgios do ketë përballë amerikanin Sam Querrey. Ndërkohë emri kryesor i cili mund ta rivalizojë 21-vjecarin është Rafa Nadal. Spanjolli mundi pa shumë probleme japonezin Kei Nishikorin 7-6; 6-3 në afro 2 orë lojë. Rafael Nadal do të ketë në gjysmë-finale një sfidë me kroatin Marin Cilic. Spanjolli duket se ka rigjetur formën e dikurshme pasi kjo ecuri pozitive vazhdon që pas finales në Australian-Open me Roger Federer.