Rafael Nadal vazhdon i qetë rrugëtimin e tij në “Roland Garros” teksa mposhti në raundin e 1/8-ave gjermanin Maximilian Marterer 3-0 me sete. Nadal fitoi lehtësisht 2 setet e para ndërsa ju desh të vuante disi në setin e fundit, të cilin e fitoi 7-6 me “tie-break”. Kjo ndeshje në fakt kishte një rëndësi të veçantë për Nadal, pasi me fitoren ndaj Marterer, numri 1 i botës ka arritur në kuotën e 900 fitoreve në karrierë. Tenisti spanjoll bëhet kështu i pesti në periudhën e quajtur “Open Era” që arrin këtë numër fitoresh.
Jimmy Connors me 1256 fitore, Roger Federer me 1149, Ivan Lendl me 1068 dhe Guillermo Vilas me 948 fitore janë të vetmit që kanë bërë më mirë se Nadal, të paktën për momentin, pasi spanjolli duket se ka ende shumë për të dhënë dhe kalimi i këtyre shifrave është mëse i mundur. Për këtë mjafton t’i hedhësh një sy mesatares së fitoreve të Nadal. 16 herë fituesi i “Grand Slam”-eve ka humbur vetëm 187 ndeshje në karrierën e tij, dhe ka fituar 82.8% të ndeshjeve të tij. Një përqindje kjo që tejkalon ato të 4 emrave të përmendur. Në çerekfinale, Nadal do të përballet me argjentinasin Schwartzman, i cili u kualifikua falë një fitoreje spektakolare me përmbysje 3-2 ndaj numrit 6 të botës, Kevin Anderson.