Tenis, «French Open», Nadal dhe Halep kampionët e vitit 2018

Sport

french
Rafael Nadal është padyshim njeriu i fushave me dhe në tenis. Spanjolli ka arritur të triumfojë për herë të 11 në turneun e “French Open”. 32-vjeçari nga Majorka mposhti lehtësisht në finale 3-0 me sete tenistin austriak Dominic Thiem, numri 7 në renditjen e “ATP”-ës. 6-4, 6-3 dhe 6-3 ishin setet e fituara nga Nadal, që në këtë mënyrë mbrojti titullin e fituar vjet në “Roland Garros” ndaj Stan Wawrinkas.
Numri 1 në tenisin e meshkujve shënoi titullin “Grand Slam” të 17 të karrierës së tij, dhe mbetet njeriu për t’u mundur në turneun francez.
E nëse Nadal e kishte nisur që nga fillimi kompeticion si superfavorit, e triumfi i të cilit ishte i pritur nga shumë tifozë të tenisit, tek femrat, Simona Halep më në fund shënoi titullin e parë “Grand Slam” të karrierës së saj. Tenistja rumune mposhti 2-1 me përmbysje amerikanen Sloane Stephens, me rezultatet 3-6, 6-4 dhe 6-1.
Triumfi për Halep në “Roland Garros” u cilësua nga vetë ajo si më e rëndësishmja e karrierës, pasi kritikohej shumë për faktin që qëndronte prej kohësh si numri 1 i tenisit për femra, ndonëse ende nuk kishte triumfuar në ndonjë nga turnetë e rëndësishëm të tenisit. Halep iu afrua fitores së “French Open” vitin e kaluar, por u mund në finale nga tenistja letoneze Ostapenko.