Tenis, Federer operohet, konfirmohet mungesa e tij deri në vitin e ardhshëm

Sport

Roger Federer nuk do të zbresë më në fushat e tenisit për vitin 2020. Zvicerani i është nënshtruar një tjetër operacioni në gjurin e tij të djathtë, që në vitet e fundit i ka hapur jo pak probleme legjendës së këtij sporti sa i përket dëmtimeve. 20 herë fituesi i turneve ‘Grand Slam’ kreu ndërhyrjen e parë në gjurin e djathtë gjatë muajit shkurt, por teksa sporti ishte ndalur për shkak të pandemisë së ‘Covid-19’, Federer u përpoq të rikuperohej sa më shpejt të ishte e mundur. Pavarësisht dëshirës së 38-vjeçarit, kjo gjë u pa të ishte e pamundur dhe për shkak të komplikacioneve të reja, atij iu desh të kryente edhe një tjetër operacion. Vetë tenisti zviceran lajmëroi se viti 2020 në tenis për të ishte mbyllur dhe se ai do të ketë mundësinë të rikthehet të luajë vetëm gjaë viti të ardhshëm. Herën e fundit që Federer u pa në aksion ishte gjatë muajit janar, ku humbi sfidën gjysmë-finale të ‘Australian Open’ përballë tenistit serb, Novak Djokovic. Edhe bota e tenisit për momentin ka ndalur turnetë kryesorë të saj. Një rikthim të tenistëve më të mirë të botës mund të ndodhë vetëm gjatë 31 gushtit, kur pritet të nisë ‘US Open’, ndërsa më 20 shtator, është planifikuar zhvillimi i ‘French Open’. Ndërsa Federer tashmë e sheh të komplikohet situata për arritjen e rekordit të amerikanit Jimmy Connors, i cili numëron 109 tituj në karrierë, teksa zvicerani, është ndalur për momentin në 103 tituj.