Dy orë e 38 minuta, 2 e 44, 4 e 17, dhe tjetra 4 e 52, ky ishte totali i zgjatjes së katër ndeshjeve çerek-finale të Wimbledonit në tenis ku pati edhe surpriza. Roger Federer u eliminua nga Kevin Anderson, ndërsa Rafael Nadal u kualifikua për herë të parë në gjysmë-finale pas 7 vitesh. Mes Federer dhe Anderson filloi si një lojë e thjeshtë por përfundoi në një ndeshje sfilitëse. Fitorja 6-2 e zviceranit në setin e parë, u shoqërua me një ngritje të nivelit të Anderson në pjesën e dytë, edhe pse ky i fundit e humbi atë 7-6 me tie-breake. Seti i tretë dhe dy të tjerët pas tij, rezultuan përmbysje. Federer u mund kështu 3-2 dhe Anderson kaloi në gjysmë-finale, atje ku do të përballet me amerikanin John Isner.
I 10-ti i ranglistës së ATP-ës mundi Raonicin 3-1 me sete në një ndeshje gjithashtu të vështirë për të. Por vëmendja shkoi te dueli tjetër, Djokovic-Nishikori, serbi fitoi gjithashtu 3-1 me sete por luajti më pak, 2 orë e 38 minuta. Kjo gjysmë-finale e tija e arritur është një gjysmë-fitore për përpjekjen e tij për t’u rikthyer në majat, por përballë do ketë Nadalin. Spanjolli Mbret i fushave me dhe, vuajti jashtëzakonisht shumë për t’u kualifikuar. Sfida me Martin Del Potron e nisur në orën 5 përfundoi në orën 10 me totalin që kapi 4 orë e 52 minuta dhe u mbyll me shifrat 3-2 për tenistin nga Majorka. Nuk i dihet se sa ndikim do ketë kjo sfilitje për gjysmë-finalen, por e sigurt është se me Federerin jashtë loje, Nadal do të mbetet në vend të parë sido që ta mbyllë këtë turne të Wimbledonit.