Tenis, eleminohen Djokoviç e Shapolapov, Nadal dhe Zverev kalojnë më tej

Sport

Roge
Surpriza në 1/8-at e “Roger’s Cup 2018”, ku është eleminuar Novak Djokoviç dhe idhulli i tifozëve vendas, Denis Shapolapov. Djokoviç zhgënjeu krejtësisht përballë grekut Stefanos Tsitsipas, më këtë të fundit që fitoi 2-1 me sete. Greku fitoi setin e parë 6-3, ndërsa Djokoviç u përgjigj në të dytin 7-6. Por në raundin e tretë serbit duket se i ranë fuqitë, dhe kundërshtari i tij e mundi sërish 6-3. Kurse kanadezi Denis Shapolapov e pa veten të mundur përballë Robin Haase 2-0. 19-vjeçari Shapolapov u shfaq disi i lodhur fizikisht, ndërkohë që Haase vazhdon të dhurojë performanca të mira në “Roger’s Cup”.
Edhe pse nuk e pati të lehtë, Rafael Nadal kaloi më tej teksa mposhti Stan Wawrinkan 2-0 me sete. 7-5 dhe 7-6 ishin rezultatet e ngushta të arritura nga ana e spanjollit. Numri 1 i botës do të përballet në raundin tjetër me kroatin Marin Ciliç. Ky i fundit mposhti gjithashtu 2-0 argjentinasin Diego Schwartzman, që nuk përballoi dot shërbimet e forta të kroatit. Një tjetër favorit për këtë kompeticion është edhe Alexander Zverev. Gjermani kaloi në 1/8-at rusin Medvedev, të cilin e mundi lehtësisht brenda 2 seteve, 6-3 dhe 6-2.
Grigor Dimitrov mposhti me vështirësi amerikanin Tiafoe 2-1 me sete, ndërsa zhgënjeu John Isner, që u mund 2-0 nga rusi Khachanov.