Në raundin e tretë të Australian Open, Novak Djokoviç shënoi fitoren e radhës që pas rikthimit në fushë pas 4 muajsh pushim. Serbi ish-numri 1 i botës, mundi me përmbysje 3-1 francezin Gael Monfils në një ndeshje që u luajt në 39-gradë celcius. Pasi humbi setin e parë 6-4, i ashtuquajturi “Djoker” fitoi 3 të radhës 6-3, 6-1, 6-3 me sfidën që zgjati në total 2 orë e 47 minuta. Në fakt Monfils u ankua për dhimbje koke dhe në fund u detyrua të asistohej nga mjekët. Me temperaturat që pritet t’i kalojnë 40 gradët në Melburne, Djokovic i bashkohet emrave të tjerë të kualifikuar si Del Potro, Gazquet, Zverev apo dhe Nadal. Ndërkohë në tenisin për femra Garbine Muguruza ishte surpriza e raundit të dytë të Australian-Openit. Spanjollja kampione e Wimbledonit, u mund 2-0 nga tajvanezja Hsieh Su-Wei, e 88-ta në renditjen botërore. Muguruza, që mban vendin e 3-të, vuajti shumë problemet fizike dhe temperaturat e larta të Melburnit duke mos shkuar përtej 2 orëve lojë. Su-Wei fitoi setin parë me “tie-brake” 7-6 dhe të dytin disi më lehtë 6-4 dhe tashmë në raundin tjetër përballet me polaken Agnieszka Radwanska. Bënë gjithashtu përpara Maria Sharapova, Karolina Pliskova, Angelique Kerber dhe Simona Halep, kjo e fundit edhe pse me probleme, arriti të fitojë 2-0 ndaj kanadezes simpatike Eugenie Bouchard. 23-vjecarja që vjen pas disa lëndimesh u mund nga e para botës me dy sete të njëjta 6-2; 6-2 vetëm për 67 minuta lojë. Halep në fakt luajti me dhëmbët shtrënguar, kjo pasi në raundin e parë kundër Aiavas pati ndrydhur kaviljen. Asaj do t’i duhet të durojë edhe në përballjen me Lauren Davis në raundin e tretë.