Tenis, Andy Murray kalon më tej në Washington, Zverev mund vëllain e tij

Sport

Andy Murray
Andy Murray vazhdon të dhurojë paraqitje të mira në turneun amerikan të Washingtonit. Tenisti britanik, i cili vinte pas triumfit ndaj bashkëkombasit të tij, Kyle Edmund, ka arritur një fitore të vështirë në raundin e tretë të këtij kompeticioni, teksa mposhti me përmbysje 2-1 Marius Copil. Copil fitoi setin e parë me rezultatin 7-6, ndërsa britaniku iu përgjigj me dy setet e tjera të fituara përkatësisht 6-3 dhe 7-6. Kështu, Murray kalon në çerekfinalet e turneut, ku do të ndeshet me australianin Alex De Minaur. Alexander Zverev ka marrë një fitore disi të dhimbshme, pasi iu desh të mposhte vëllain e tij të madh Mischa Zverev. 21-vjeçari e mbylli takimin brenda 2 seteve, të fituara 6-3 dhe 7-5.
Kei Nishikori mposhti 2-0 me sete 19-vjeçarin kanadez Denis Shapolapov dhe në çerekfinale do të përballet pikërisht me Alexander Zverev, i cili konsiderohet si një ndër favoritët për t’i shkuar deri në fund turneut të Washingtonit. Eleminim surprizë ishte ai i John Isner, që u mund në 2 sete, 6-4 dhe 7-6 nga bashkëkombasi i tij, Noah Rubin.