Alexander Zverev ia ka dalë mbanë të mbrojë titullin e tij në turneun e “Citi Open” në Washington. Tenisti gjerman mposhti në finale australianin Alex De Minaur 2-0 me sete, përkatësisht 6-2 dhe 6-4. Zverev ishte dominues në këtë takim dhe tregoi nivelin e lartë të lojës, ku edhe pse është vetëm 21-vjeç, luan si një lojtar me eksperiencë.
Ky ishte triumfi i dytë radhazi i gjermanit në kompeticionin e zhvilluar në Washington, ndërsa për De Minaur edhe arritja në finale është një rezultat i mirë e i rëndësishëm. Për këtë mjafton të vihet re ngjitja prej plot 27 pozicionesh që 19-vjeçari australian ka bërë në renditjen e “ATP”-së. Zverev ndërkohë ruan pozitat e tij në vendin e tretë pas Rafael Nadal dhe Roger Federer. Ngjitje rekord ka bërë Andy Murray, i cili nga vendi i 832, është ngjitur me 457 pozicione dhe për momentin ruan vendin e 375. Britaniku u tërhoq nga turneu i Washington pikërisht në ndeshjen përballë Alex De Minaur, për shkak të problemeve fizike.