Ten Hag shpreson që Van de Beek të qëndrojë edhe në merkaton verore

Sport

Trajneri i Ajaksit, Erik Ten Hag, duket se nuk e ka përjetuar mirë lajmin për largimin e Hakim Ziyech në fundin e këtij sezoni. Fantazisti maroken do të bëhet pjesë e Chelsea në verën e ardhshme, pasi ‘blutë’ gjetën një marrëveshje me drejtuesit e Ajaksit për thuajse 45 milionë euro. Trajneri Ten Hag është shprehur në një intervistë të fundit se shpreson që eksodi i largimit të yjeve kryesorë të skuadrës të mos vazhdojë më tej, teksa vëmendja e të gjithëve tashmë është spostuar tek mesfushori Donny Van de Beek. 22-vjeçari është lidhur shpesh me një transferim të mundshëm tek Real Madrid, por për të interesohen edhe skuadra të tjera si Manchester United apo PSG.
Megjithatë, Ten Hag shpreson që pavarësisht mundësive të shumta që paraqitet përpara lojtarit të tij, Van de Beek do të vijojë të qëndrojë tek Ajaksi edhe në sezonin e ardhshëm. Kjo është edhe ajo çfarë trajneri i ‘harkëtarëve’ u ka kërkuar drejtuesve të klubit, ndonëse për momentin asgjë nuk duket të jetë e garantuar. Gjatë 2019/2020-ës, mesfushori i Ajaksit ka zhvilluar plot 31 ndeshje në të gjitha kompeticionet, ku ka arritur të realizojë 10 gola e të shërbejë po aq asiste. Van de Beek u bë pjesë e zërave të merkatos që në sezonin e shkuar, ku ishte një nga elementët kryesorë që shtyu Ajaksin deri në gjysmëfinalet e ‘UEFA Champions League’. Kartoni i 22-vjeçarit për momentin vlerësohet mbi 60 milionë euro, shifër që skuadra si Real Madrid dhe Manchester United janë të gatshme t’i paguajnë për një mesfushor që ka provuar se ka cilësinë për të luajtur edhe në nivelet më të larta.