“Telenovela” Kylian Mbappe vazhdon…

Sport

Telenovela e quajtur “Kylian Mbappe” nuk ka përfunduar ende. Sulmuesi mohon të ketë arritur akordin me Real Madrid për t’u transferuar në Santiago Bernabeu gjatë merkatos së verës. Pavarësisht se disa ditë më parë, mediat ndërkombëtare raportuan se Reali kishte arritur akordin me francezin, vetë lojtari thotë se diçka e tillë nuk është e vërtetë, duke zbehur në këtë mënyrë aludimet e merkatos.

“Edhe nëse në verë do jem një lojtar pa kontratë, unë nuk kam arritur akord me asnjë klub tjetër deri në këto çaste dhe nuk kam marrë asnjë vendim. Çdo gjë mbetet për t’u parë se si do të shkojë në vijimësi”, është shprehur 22 vjeçari.

Sigurisht që kjo mund të jetë edhe një deklaratë për të ruajtur qetësinë brenda skuadrës, e po ashtu edhe për të mos trazuar as opinionin mediatik, duke qenë se vetëm në javën e ardhshme PSG dhe Real Madrid do përballen mes tyre në raundin e 1/8-tave të UEFA Champions League. Ndëkohë, teksa “telenovela” Mbappe vazhdon, nën urdhërat e Mauricio Pochettinos, Parisi po zhvillon një sezon të përkryer në kampionat, aty ku deri më tani, në 23 javë, kryesojnë me 56 pikë, 13 më shumë sesa Marseille e vendit të 2-të.

Në takimin e fundit, parizienët fituan 5-1 jashtë shtëpie ndaj Lille, aty ku një prej golave u realizua konkretisht nga Kylian Mbappe, çka ishte finalizimi i tij I 11-të këtë sezon në kampionat.