Telashe për Napolin. Probleme fizike për Victor Osimhen. Pothuajse gjatë gjithë verës, sulmuesi i qendrës ka qenë në qendër të merkatos, e vijon të jetë ende. E ardhmja e tij është e lidhur ngushtë mes rinovimit të kontratës me klubin kampion të Italisë, e gjithashtu me Lindjen e Mesme, atje ku Al Hilali i ka ofruar një kontratë faraonike, me 40 milionë euro në vit.
Megjithatë, kur jemi vetëm pak ditë përpara nisjes së sezonit të ri futbollistik, nigeriani është përballur me një problem fizik. Paraditen e së Martës, 24 vjeçari ka ndrydhur kaviljen e djathtë. Incidenti ka ndodhur në stërvitje me shokët e tjerë të skuadrës.
Nuk dihet koha e riaftësimit të lojtarit në fjalë, por mendohet se ndalesa e tij do të zgjasë deri në një muaj. Megjithatë, situata e shtatlartit të ofensivës do të jetë në monitorim të vazhdueshem, e në testet e radhës, do të përcaktohet edhe shkalla e dëmtimit.
Ky është një lajm mjaft i keq për trajnerin e Napolit, Rudi Garcia, i cili tanimë, duhet të hartojë një tjetër plan për ndeshjet e para të edicionit të ri. Të kaltërit, do e nisin mbrojtjen e titullit, në transfertën e Frosinones në datën 19 Gusht.