Nga mërzia e humbjes me Portugalinë, De Biasi ka zbritur në një tjetër realitet, disi më të hareshëm siç është ai i futbollit italian, për të ndërrmarrë një tjetër aventurë. As 24 orë nga pabesia portugeze, tekniku i Shqipërisë është shfaqur në Itali. Jo më pak, po në studiot e RAI-t, për të bërë prezantimin në një rol të ri që duke nisur nga 13 shtatori do ta mbajë përgjatë të gjithë sezonit: atë të analistit sportiv. Njëshi i stolit kuqezi është punësuar nga emisioni legjendar “Novantesimo Minuto”, për të analizuar çdo të dielën ndeshjet e kampionatit italian. Aty, De Biasi do të jetë përkrah trajnerëve të njohur të futbollit italian, si Cesare Prandelli, Alberto Malesani dhe Corrado Orico.
Ndërkohë që gjatë prezantimit si pjesë e kësaj aventure të re, ai e ka pasur të vështirë të linte pa prekur edhe humbjen e fundit: “Mund të jetë pak e vështirë për shkak të distancës që do të më duhet të krijoj herë pas here me udhëtimet e mia në Shqipëri, por pjesëmarrja në këtë emision do të jetë 100% nga ana ime. Ndjekja e futbollit është motiv impenjimi për mua. Futbolli është loja më e bukur në botë, megjithëse dhuron edhe momente të hidhura… Për mua, ndaj Portugalisë, ishte shumë i bukur deri në minutën e 90-të”, ka deklaruar italiani 59-vjeçar, duke iu referuar humbjes së të hënës. Tashmë mbetet të shihet sesi do t’ia dalë De Biasi këtyre dy detyrave që do t’i mbajë paralelisht. Ndonëse vetëm njëra është ajo që u intereson shqiptarëve, që ta mbyllë me sukses.