Të gjithë përulen përpara Manchester Cityt, dorëzohet edhe Jurgen Klopp

Sport

Të gjithë po përulen përpara Manchester Cityt. Pas trajnerit Erik ten Hag, i cili deklaroi se United nuk mund të konsiderohet pretendent për titullin kampion në sezonin e ri, në të njëjtën linjë mendimi ka qenë edhe Jurgen Klopp.

Numri një i stolit të Liverpool, është shprehur se ekipi i vetëm favorit që mund të merret për bazë për të fituar titullin në edicionin 2023/24 është pikërisht City. Madje, gjermani ka deklaruar se synimi kryesor i ekipit të tij do të jetë të sigurojë një vend në Champions League, duke marrë parasysh atë se çka ndodhi në edicionin që lamë pas, ku Liverpool nuk mundi të kualifikohej dot në kompeticionin më prestigjoz për klube të kontinentit. Nuk dihet nëse këto fjalë, Klopp i ka thënë për të larguar presionin nga futbollistët e tij, apo ka qenë i sinqertë.

“Askush përveç Manchester Cityt nuk mund të konsiderohet pretendent për titullin kampion në Premier League. Skuadrat e tjera, do të përpiqen për të siguruar një vend në Champions League, ashtu sikurse do të bëjmë edhe ne”, ka deklaruar ndër ta tjera Klopp, nga Singapori, atje ku Liverpool po kryen fazën përgatitore.

Sipas 56 vjeçarit, gjëja më e mirë që mund të bëhet, është krijimi i një grupi të bashkuar lojtarësh, duke ndërtuar një atmosferë pozitive, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtohet shpirti dhe dëshira e ekipit, për të zhvilluar një sezon të suksesshëm. Klopp nuk ka asnjë dyshim se nëse një gjë e tillë realizohet, atëherë Liverpooli do ketë arritje të rëndësishme në edicionin e ri futbollistik.