TE ARDHURAT, JA SA VLEN KUALIFIKIMI I SHQIPERISE NE GJERMANI

Sport

Kualifikimi i shumëpritur i Kombëtares në Europian vlen natyrisht për prestigj, por gjithashtu edhe për përfitimet që mbart me vete. Konkretisht, në rast se Shqipëria pret biletën për të shkuar në Gjermani vitin e ardhshëm, kjo do t’i sillte Federatës Shqiptare të Futbollit 9.25 milionë euro në total. Bëhet fjalë për një shifër që është minimale dhe e njëjtë për 24 kombëtaret, të cilat marrin pjesë në grupet e Europianit. Mirëpo, të ardhurat për pjesëmarrjen në Europian nuk ndalen me kaq, pasi për çdo fitore që do të vinte në ndeshjet që luhen në fazën e grupve, UEFA ka vendosur një bonus prej 1.5 milionë eurosh që do të shkonin për skuadrat që marrin tripikëshin. Në një kohë që barazimi vlen vetëm 750 mijë euro.

Në realitet duhet pasur parasysh fakti se secila kombëtare që do të kalojë grupet do t’i sjellë Federatave përkatëse nga 2 milionë euro të ardhura. Ndërkohë që 3.25 milionë të tjera do të përfitohen nëse arrin në çerekfinale, teksa mbërritja deri në gjysmëfinale vlen 5 milionë euro. Nëse do të flasim pastaj për ekipet finaliste, humbësi do të marrë 7 milionë euro, kurse përfaqësuesja që do të ngrejë në qiell trofeun e “Gjermani 2024” do të arkëtojë shumë prej 10 milionë eurosh.