Të ardhurat e Champions, ja kush klube morën më shumë!

Sport

ucl fond

Me uljen e siparit të këtij edicioni të Champions League, është koha që secili nga klubet e mëdha evropiane të bëjnë llogaritë financiare, duke menduar edhe për merkaton e sezonit të ardhshëm. Një zë i rëndësishëm sa i takon planifikimit të strategjive të reja është edhe ai që lidhet me të ardhurat e marra nga skuadrat pjesëmarrëse në Champions. “Sëiss Ramble”, një kompani e specializuar në analizat financiare sportive, ka bërë publike përfitimet e klubeve protagonistë në kompeticionin më prestigjoz kontinental. E nuk kishte si të ndodhte që Real Madrid të mos merrte kurorën edhe si ekipi që ka më shumë të ardhura: plot 87 milionë euro, si pasojë e shpërblimeve për avancimin deri në finale, aty ku si fitues spanjollët morën 15,5 milionë. Por një fetë e rëndësishme ishin të drejtat televizive.

real fond
Më shumë befasues janë vendi i dytë dhe i tretë i kësaj renditjeje, që mbahen respektivisht nga dy italiane, Roma e Juventus. Pikërisht, këto klube, në kuotën e 82 dhe 72 milionë eurove, kanë përfituar shumë më tepër sesa Bajern – 69 milionë euro-, Man.Siti – 62 milionë -, Paris SG – 61 milionë -, apo edhe Liverpuli finalist, që ka marrë 78 milionë. Diferencën e madhe e bën fakti që ndryshe nga anglezët, italianët e kanë ndarë në tresh (bashkë me Napolin) shumën që i takon çdo shteti, për të drejtat televizive. Gjithsesi, klubet e Premier League mund të ngushëllohen me faktin që kanë 4 ekipe në 10-shen e parë të kësaj renditjeje të përfitimeve. Kurse Barça duhet të mjaftohet me vendin e 10-të. Mirëpo, duke nisur nga edicioni i ardhshëm, turneu më i madh i futbollit evropian do të jetë akoma më i pasur dhe elitar. Aq sa rreziku konkret është që duke parë të ardhurat e larta, dalëngadalë kampionatet të bëhen thjesht një rrugë për sigurimin e kualifikimit në Champions League.