Të 22-tët në renditjen e FIFA

Sport

fifa-shqiperia-renditja
Të 22-tët në botë. Është kohë rekordesh për futbollin shqiptar. Përveç Skënderbeut, edhe Kombëtarja e sheh veten mes 25 skuadrave më të mira, në bazë të renditjes më të fundit të FIFA, rifreskuar më datë 6 gusht. Kemi lënë prapa përfaqësuese si Franca e Pogba, apo edhe Suedia e Ibrahimoviç. Ndërkohë që në distancë të madhe janë shtet e tjera të rajonit tonë, si Greqia, Serbia, Maqedonia, apo Mali i Zi.
Janë plot 14 vende të ngjitura nga kuqezinjtë që në korrik ishin të 36-tët, ndërsa nga 722 pikë të një muaji më parë, tani kanë 888. Sipas asaj që evidenton vetë FIFA, Shqipëria ka edhe hovin më të madh përsa i takon pikëve të shtuara. Shtysën na e kanë dhënë tri pikët e CAS-it për ndeshjen me Serbinë, përfaqësuese që ka rrështiqur 23 shkallë e tani gjendet në vendin e 66-të.
Ndërsa ne krenohemi edhe që jemi vetëm 6 vende prapa Italisë, e 16-ta në renditjen që vazhdohet të kryesohet nga Argjentina, teksa në vend të dytë vërehet ngjitja surprizë e Belgjikës, që ka zbritur një pozicion më poshtë Gjermaninë kampione të botës.
Të rëndësishme do të jenë tani ndeshjet e shtatorit me Portugalinë e Danimarkën, jo vetëm për shpresat e pjesëmarrjes në Europianin 2016, por edhe për efektet që mund të japin në renditjen e FIFA-s. E nuk është çudi që shpejt ta shohim Shqipërinë edhe në 10-she. Në këtë vit 2015, asgjë nuk duket se është e pamundur!