Taulant Xhaka, ja çfarë objektivi ka me Baselin pas kontratës aktuale

Sport

Super League në Zvicër konisderohet një kamponat i nivelit mestar, por shpesh në të evidentohen edhe lojtarë të spikatur. Ndodh që një pjesë e konsiderueshme e klubeve zvicerane mbështeten edhe tek të ardhurat, që mund të gjenerojnë elementë të tillë. Disa prej tyre janë në skadencë të kontratës, por gjithashtu kanë edhe vlerë të rëndësishme në merkato. Prandaj, në një periudhë ku e gjithë bota e futbollit vuan sa i takon aspektit financiar prej pezullimit të aktivitetit prej Coronavirusit, nuk përjashtohet që ndonjëri prej këtyre lojtarëve, të shitet në verë. Sigurisht, duke sjellë të ardhura të vyera, në shërbim të klubit ku luajnë aktualisht.
Sport.ch ka paraqitur një listë të lojtarëve me vlerë të lartë dhe të cilëve u skadon kontrata në 2021-shin. Midis tyre është përfshirë edhe mesfushori i Kombëtares shqiptare, Taulant Xhaka. Në fakt vlera e tij në merkato konsiderohet rreth 2.5 milionë euro. Gjithsesi nuk duket shumë e mundur që një lojtar i tillë, në moshën 29-vjecare, të transferohet jashtë Zvicrës. Kështu që me shumë mundësi, ai do të kërkojë të shfrytëzojë opsionin që ka për të zgjatur kontratën aktuale, që skadon në 2021-shin. Fundja, vetë Taulanti ka thënë se ai e ka jetën të lidhur me klubin e Baselit, në radhët e të cilit u bë i famshëm. Mbi të gjitha, përvoja e tij në Superligën zvicerane, me 226 ndeshje, 4 gola dhe 16 asiste, konsiderohet si tepër e çmuar për Baselin.