Talenti Florian Kamberi, shans për Shqipërinë

Sport

2604950 large-lnd
Florian Kamberi është emri më i ri, i zbuluar si goleador ndër shqiptarët të cilët luajnë në Zvicër. Ai luan në radhët e Grasshopersit, por u desh një gol pas 15 sek nga aktivizimi gjatë fundjavës së kaluar ndaj Zyrihut, në Superligën zvicerane që transmetohet nga Tring Sport, për të ndezur menjëherë kuriozitetin se për cilin bëhet fjalë.
Ai është vetëm 20 vjeç, 1.89 cm dhe që prej këtij viti është pjesë e skuadrës së parë të Grasshopers, ku ka luajtur më parë Shkëlzen Gashi. Në dy aktivizime të këtij sezoni (1 si titullar, tjetra si zëvendësues) ka realizuar një gol. “Kam bërë maksimumin në stërvitje dhe jam i kënaqur që trajneri ma ka dhënë besimin”, është shprehur Kamberi.
Në sezonin e fundit te ekipi i të rinjve ishte bërë autor i 15 golave në 21 ndeshje. “Do të jap maksimumin prej ndeshjes në ndeshje. Dua të shënoj sa më shumë gola , po punoj shumë në këtë drejtim”, ka vijuar ai.
Kurioz është fakti se pavarësisht se ka nënshtetësinë e Zvicrës, nuk ka luajtur asnjë ndeshje me ndonjë përfaqësuese moshash të shtetit helvet. Gëzon nënshtetësinë e dyfishtë zvicerano-kosovare, prandaj ekziston mundësia që të luajë me Kombëtaren shqiptare. E mësohet se është prej kohësh në listën e talenteve që ndiqen nga “scout”-ët e FSHF, si kandiat për t’u përfshirë në rradhët kuqezi. Jo më kot kanë ngritur alarmin mediat zvicerane, me frikën se mos ua rrëmben Shqipëria.