Julian Nagelsmann, trajneri i Leipzig:
“I shoh dy ndeshjet me Parisin si sfida të fazës me eleminim direkt. Kush do të marrë më shumë pikë nga këto dy përballje do të ketë shanset më të mira për t’u kualifikuar më tej. Pra, 4 pikë në këto dy ndeshje, për mua do të ishte e kënaqshme. Kemi presion, është e vërtetë, por të kesh këtë lloj presioni në këtë kompeticion është një privilegj, pasi do të thotë se mund të arrish diçka. Fakti që Mbappe dhe Neymar nuk do të luajnë nuk është një gjë e keqe për ne. Ata janë lojtarë të shkëlqyer dhe Parisi është më i fortë me ta se sa pa ta në fushë. Por edhe ne do të ishim një skuadër më e fortë nëse të gjithë lojtarët do t’i kishim gati për këtë sfidë.”
Christopher Nkunku, mesfushor i Leipzig:
“Do të jetë një ndeshje e veçantë për mua, pasi kam kaluar shumë kohë në radhët e PSG. Por tani vij si lojtar i Leipzig dhe do të jap më të mirën që skuadra të marrë rezultatin që na nevojitet. I gjithë përqëndrimi im është tek 90 minutat që do të luajmë në mbrëmje. Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe duhet të japim më të mirën në fushën e lojës. Po luajmë shumë shpesh, por kemi ditur se si të menaxhojmë forcat tona. Është e rëndësishme që të jemi të gatshëm për të dhënë kontributin tonë për ekipin gjatë gjithë sezonit.”