T.Xhaka: I vështirë dueli me Granitin, por fitoj unë

Sport

GranitXhaka.jpeg

 

Tema kryesore e Shqipëri-Zvicër që luhet më 11 qershor për grupin A të Europianit do të jetë padyshim sfida e vëllezërve Xhaka. Graniti ka thënë se është e vështirë të luash kundër gjakut tënd. Por tani edhe Taulanti shprehet në një intervistë për “Blick”se do të kishte dashur ta shmangte këtë duel, pasi bëhet fjalë për një situatë të vështirë, jo vetëm për vetë atë, por për të gjithë familjen. Sidoqoftë nuk ka ndërmend të tolerojë pavarësisht se do të ketë përballë të vëllain. “Nuk e ndryshoj stilin tim të lojës. Dua që Shqipëria të fitojë. Nuk ka rëndësi nëse dal edhe kundër vëllait tim. Por natyrisht, nuk dua t’i bëj keq as atij e as lojtarëve zviceranë”.
Përballjen me Granitin e ka provuar edhe në të kaluarën, në kampionatin zviceran, gjatë sfidave Bazel-Grasshopers të sezonit 2012-2013: “Natyrisht ishte shumë special. Por atëherë unë luaja mbrojtës i djathtë, kurse ai në mesfushë. Kështu që nuk kishte kontakt mes nesh. Në Europian, çdo gjë do të jetë ndryshe!”.
Taulanti ka besim te Kombëtarja shqiptare, që sipas tij është në gjendje të mundë çdo kundërshtar. Jo më kot fitoi edhe me Portugalinë gjatë eleminatoreve. Ndonëse e pranon se Franca dhe Zvicra janë favorite e grupit, pasi kanë lojtarë më cilësorë. Mirëpo ndoshta nuk kanë kolektivin e Shqipërisë.
Plot 12 lojtarë të përfaqësues shqiptare kanë dale nga shkolla zvicerane, ndërkohë që mund të shtohen edhe dy si Shani Tarashaj e Albian Ajeti. Për Xhakën, ky është një vendim që duhet ta marrin ata vetë, bashkë me familjet e tyre.
Mbi Renato Shtefen që tani e tutje do ta ketë shok skuadre, pas grindjes që patën në shtator gjatë Jang Bojs-Basel, Taulanti thotë se e kaluara është harruar e tani shkojnë mirë, pasi janë edhe tipa të ngjashëm. Ndërsa pyetjes nëse do të lërë Baselin gjatë verës, i është përgjigjur: “Kam një kontratë deri në 2018-n dhe ndihem mirë këtu, ku ndiej besimin e trajnerit. Por natyrisht nuk mund të përjashtoj një transferim, gjithmonë për progress në karrierën time”.