SYLVINHO SHPALL ANTI-CEKINE PA SHUME NDRYSHIME

Sport

Trajneri i Kombëtares, Sylvinho shpalli mesditën e së premtes listën e lojtarëve të ftuar për ndeshjen kualifikuese të Euro 2024 në grupin E me Çekinë, që luhet të enjten tjeter në Tiranë, si dhe për miqësoren e 17 tetorit po në “Air Albania” ndaj Bullgarisë.

Një liste prej 25 lojtarësh, që ka fare pak ndryshime krahasuar me listën e muajit shtator. Bie në sy së pari rikthimi i shumëpritur i sulmuesi Armando Broja, i cili e ka lënë pas dëmtimin në gju, teksa së fundmi ka luajtur me Chelsea në Premier League duke shënuar menjëherë edhe gol. Këtë herë do të mungojë Odise Roshi, kurse pjesa tjetër e futbollistëve janë praktikisht të konfirmuar nga ana e trajnerit brazilian.

Kuqezinjtë nisin zyrtarisht përgatitjet të hënën, më 9 tetor, në “Shtëpinë e Futbollit” në kryeqytet, aty ku do të bëhet edhe grumbulliimi.  Kombëtarja kuqezi do t’i luajë në “Air Albania” të dyja ndeshjet e tetorit. Fillimisht përballet me Çekinë më 12 tetor, prej orës 20:45, ndërsa më pas në program është miqësorja me Bullgarinë më 17 tetor, ora 18:00.

Kujtojmë se pas pesë ndeshjeve në grupin E kualifikues të Euro 2024, Shqipëria mban vendin e parë me 10 pikë, dy më shumë se Çekia që ka edhe një ndeshje më pak.  Moldavia është e treta me 8 pikë, Polonia me gjashtë dhe mbyllin klasifikimin Ishujt Faroe me një.