Ish-trajneri i Anglisë dhe Manchester City-it, Sven-Göran Eriksson është i mendimit se Premier-League-ën e këtij sezoni do ta fitojë Liverpooli. Në një intervistë të dhënë së fundmi, suedezi tashmë 70-vjecar, ka pranuar se bën tifo kundër ish-skuadrës së tij. Eriksson drejtoi City-in në vitet 2007-2008, por ka treguar se është rritur duke mbështetur të kuqtë. Sipas ish-trajnerit që drejtoi edhe Lazion në periudhën e artë të fillim-viteve 2000, Liverpooli i këtij sezoni i ka të gjitha mundësitë që të arrijë titullin. 18-herë kampionët e Anglisë nuk fitojnë kampionatin që prej vitit 1990 dhe emblema të skuadrës si Steven Gerrard apo Jamie Carragher e kanë mbyllur karrierën pa ia dalë në këtë objektiv.
Sipas Eriksson sezoni aktual është tejet interesant pasi ndryshe nga vjet po ofron në krye një konkurrencë më të madhe. City po ndiqet këmba-këmbës nga Chelsea dhe Liverpool që pas 8 javësh kanë pikë të barabarta dhe ende s’kanë njohur humbje. “Shumëkush po thotë që me gjasa ky do jetë viti i Liverpoolit dhe unë shpresoj fort sepse jam një tifoz i kahershëm i kësaj skuadre. Sidoqoftë them se City mbetet skuadër tepër e fortë” tha Eriksson, i cili rrëfeu se optimizmi i tij për Liverpoolin u shtua ndjeshëm vitin që shkoi ku skuadra dhuroi ndeshje fantastike, sidomos në Champions League.