Surprizë nga Franca. Olimpiku i Marsejës ka eliminuar nga Kupa skuadrën e PSG. Në duelin, që ishte i vlefshëm për raundin e 1/8-tave, ekipi i drejtuar nga Igor Tudor fitoi me rezultatin 2-1, me golat e Alxis Sanchez dhe Ruslan Malinovskit, teksa barazimi i përkohshëm i parizienëve erdhi nga Sergio Ramos në fundin e pjesës së parë.
Ky mund të konsiderohet një sukses historik për Marsejën, sepse nuk fitonte dot ndaj Parisit në shtëpi që prej 27 Nëntorit të 2011-tës, plot 12 vite më parë, atëherë kur triumfonte 3-0 në kampionat.
Teksa Marseja e Igor Tudor vijon më tej rrugëtimin në Kupë drejt fazës çerekfinale, nga ana tjetër, Parisi i eliminuar, tanimë nuk ka rrugë tjetër, por të përqendrohet në kompeticionet e tjera.
Më tej, ky eliminim ishte padyshim i papritur për Parisin, duke marrë parasysh organikën që trajneri Christophe Galtier ka në dispozicion. Me Kylian Mbappe të dëmtuar, Galtier nuk u kursye, por hodhi në fushë Lionel Messin dhe Neymar në repartin e sulmit. Mirëpo, asnjë prej yleje të sipërpërmendur nuk arriti ta bënte diferencën në shtëpinë e Marsejës.
Një detaj që vlen për t’u përmendur në lidhje me Lionel Messin është fakti se Kupa e Francës është trofeu i vetëm që argjentinasi nuk ka mundur të fitojë në karrierën e tij të lavdishme. Përgjatë këtyre dy edicioneve në Francë, kampioni i botës nuk ia ka dalë dot të triumfojë dot në Kupë, teksa nuk mund të thuhet dot me siguri se do të konkurojë sërish vitin, për shkak të së ardhmes së tij të paqartë. Në fund të sezonit, 35 vjeçarit i përfundon kontrata me PSG dhe mundësia e largimit të tij nga “Parc des Princes” mbetet e hapur.