Suksesi në Superkupën e Europës e ka kthyer Diego Pablo Simeonen në trajnerin me më shumë trofe në historinë e Atleticos së Madridit. “El Cholo” siguroi trofeun e shtatë të rëndësishëm në krye të “Los Colchoneros”, duke lënë pas një legjende si Luis Aragones, që në katër vite si trajner i Atleticos kishte fituar 6 trofe të ndryshëm. Para se të ngrinte lart Superkupën e Europës në kryeqytetin e Estonisë Talin, Simoene kishte fituar më parë dy herë Europa Leaguen, një herë Superkupën e Europës, një herë la Ligan, një herë Kupën e Mbretit dhe një Superkupë të Spanjës. Për më tepër, argjentinasi bëhet trajneri i parë i Atleticos, i cili fiton një finale kundër Real Madridit në tri kompeticione të ndryshme: pikërisht Kupa e Mbretit, Superkupa e Spanjës dhe Superkupa e Europës.
Në anën tjetër ka zhgënjim për Julen Lopeteguin, që bëhet trajneri i parë i Real Madridit që e humbi ndeshjen e tij të parë konkurruese që prej kohës së Bernd Schuster në vitin 2007. Lopetegui është i pari trajner i Real Madridit që pëson katër, ose më shumë gola në ndeshjen e tij të parë zyrtare që prej Michael Keeping, kundër Celta Vigo, 60 vjet më parë. Ndërsa në krahasim me epokën Zidane, kur minimumi ishin pësuar 3 gola nga madrilenët, shqetësim është fakti që në ndeshjen e premiereës zyrtare Ramos me shokë pësuan 4 herë. Por mbi të gjitha për t’u veçuar është fakti se Reali pësoi një humbje në finale ndërkombëtare pas plot 18 vjetësh dhe 13 finalesh radhazi me fitore.