Superkupa, risia e gjyqares femër në një finale meshkujsh

Sport

Caktimi i gjyqtares franceze Stephanie Frappar për finalen e Superkupës evropiane midis Liverpulit dhe Chelsea-t, është nga ato vendimet që “rrëzon një mur”. Të paktën në futboll, ky mur i saporrëzuar mund të provokojë një efekt domino, për të përshpejtuar procesin e barazisë gjinore, aq shumë të kërkuar. Por do të mund të themi se është arritur, vetëm kur të mos çuditemi më që një femër do të gjykojë një ndeshje meshkujsh, edhe nëse bëhet fjalë për ato me rëndësi të lartë. Një zgjedhje të merituar e ka cilësuar shefi i gjyqtarëve të UEFA-s, Roberto Roseti, sipas të cilit francezja 36-vjecare ka treguar se është një nga më të zonjat e të gjithë botës së arbitrimit, teksa jo më kot gjykoi finalen e Botërorit të fundit të femrave. Gjithashtu kaloi me sukses edhe të gjithë testeve të ngjashme me kolegët meshkuj.  Aprovimi për këtë zgjedhje të guximshme ka ardhur edhe nga ana e kreut të qeverisë së futbollit evropian, Aleksandër Ceferin, i cili ka dashur ta konsiderojë si një zhvillim kulturor, që pse jo, mund të frymëzojë edhe shumë vajza të tjera për të mos shikuar të pamundur realizimin e ëndrrave.

Ky është edhe qëllimi i vetëshpalosur nga ana e Frappar, e cila prej sezonit të ardhshëm do të gjykojë rregullisht në kampionatin francez, megjithëse më 28 prill të këtij viti, pati hyrë në histori si femra e parë që gjykonte një ndeshje të Ligue 1. Gjithsesi nuk ishte e para në histori sa i takon 5 top-kampionateve të Evropës, pasi gjermnia Bibiana Steinhaus kishte thyer këtë tabu në Bundesligë përpara 2 vjetësh.  Por përpara Frapar, vetëm zvicerania Nicole Petignat kishte mundur të gjykonte nëpër kompeticione të futbollit të meshkujve, nën organizimin e UEFA-s, kur mes viteve 2004 e 2009, vërshëlleu në ndeshje eleminatore të Kupave të Evropës. Por këtë radhë është krejt ndryshe, sepse Superkupa Evropiane servir ajkën e futbollit evropian. Dhe historikisht nuk ka qenë kurrë një ndeshje banale. Sinjali i lëshuar nga Roseti është se caktimi i Frappart mund të jetë zanafilla e një epoke të re.